Mihai Vasile: „Kopi Kyçyku, udhërrëfyesi ynë nëpër Shqipëri”



Revista “România pitorească” (Rumania piktoreske), që del pa ndërprerje në Bukuresht, qysh në vitin 1933, në gjuhët frëngjisht, anglisht, gjermanisht, spanjisht, italisht dhe rumanisht, në numurin e fundvititit (472 / 2012), ka botuar një artikull të zëvendëskryeredaktorit të saj, Mihai Vasile, me titull: „Kopi Kyçyku, udhërrëfyesi ynë nëpër Shqipëri”, të shoqëruar me gjashtë fotografi me ngjyra, në të cilin thuhet:


Nata kishte rënë me kohë, madje para se të dilnim nga Maqedonia. Kështuqë kur vumë këmbë në tokën shqiptare nuk mundëm veçse të hamendësonim se si do të ishin viset që do të përshkonim. Liqeni i Ohrit na u përshfaq vetëm si një hapësirë e gjerë, e errësuar, diku në të majtë. Si nëpër ëndërr përfytyroja se po kalonim nëpër rrugë gjarpërore dhe se një pjesë e tyre ishin në riparim e sipër. Vetëm kaq!
Dritat e qytetit turistik Pogradec më zgjuan nga gjumi që ma kish dyndur çdo pjesëzë të trupit. Diku, pranë shoferit, zoti Valentin Cigëu po fliste në telefon. Fliste në rumanisht, për të kërkuar hollësi rreth vendit ku duhej të mbërrinim. „Zoti profesor... zoti akademik...” . Duke e vënë veten në vendin e shoferit, fillova të interesdohem edhe unë për bisedën, por sakaq e kuptova se, më në fund, edhe unë s’jam veçse një pjesëstar i zakonshëm i grupit, pa ndonjë përgjegjësi. Dhe u qetësova.

Andreea-Ileana Danielesku: "Disa ditë nëpër Vendin e Shqiponjave"

Në Shqipëri mbërritëm në orët e vona të natës, pas një rrugëtimi të gjatë, tejet të gjatë, që e nisëm në Bukuresht në të aguar, përshkuam Bullgarinë e më pas Maqedoninë. Në qytetin ku u ndalëm, nga ballkoni i dhomës së hotelit, nëpër terrin e natës së ndërprerë nga një reklamë e madhe në ndërtesën përballë, - që tregonte, me një të kuqe të fortë, datën, orën lokale, temperaturën e ajrit, - dhe nga drita e hënës pothuajse të rrumbullaktë, syri na zuri një cep të ndritshëm uji që përpëlitej në vorbullën e valëve dhe duke rrezatuar vazhdimisht në breg një rënkim nënshtrimi. Isha e sigurtë që nuk ndodhesha në det, por nuk kisha as më të zbehtën ide për çka do të m’i gëzonte sytë dhe shpirtin pas lindjes së diellit...
Gjendeshim në Pogradec apo Enkelana, në Juglindje të vendit, në breg të Liqenit të Ohrit, kufi natyror me Republikën e Maqedonisë. Një qytet me afro 30.000 banorë, me histori mijëvjeçare, i qarkuar në Veri dhe në Jug nga male me shkëmbinj karstikë, si një kështjellë, pikturuar nga peneli i vjeshtës me ngjyra vaji, duke mbrojtur me ëmbëlsi shtrirjen e ujit, për t’u bashkuar në largësi me sivëllezërit maqedonas. Një stacion turistik i bukur, ku pushonin dikur vetëm udhëheqësit e vendit, me diktatorin Enver Hoxha në krye. Parqe me bimësi mesdhetare, me shtatore të frymëzuara, kushtuar atyre që e kanë gdhendur emrin në librat e artë të kulturës shqiptare, - shkrimtarë, piktorë, historianë. Lokale të vegjël dhe kafene ku të presin e të shërbejnë si jo më mirë, rrugica me “yje” në kujtim të disa personaliteteve, me boutique me mallra të rafinuara dhe çmime të pranueshme. Makina pak, me marka interesante, megjithse jo të gjitha të reja, njerëz të veshur thjesht nëpër rrugë, kurreshtarë ndaj turistëve.