Dy romane shqiptarë „pa viza”



Trusti botues „Ideea Contemporană” (Ideja Evropiane), një nga më fuqishmit në botën rumune, gjeti mënyrën origjinale për t'i uruar shqiptarët në ditën e shpalljes së vendimit të ministrave të brendshëm të vendeve të Bashkimit Evropian për heqjen e vizave në zonën Shengen: botoi dy romane të autorëve Ardian-Christian Kyçyku dhe Bashkim Shehu.


In Memoriam: "Gazeta e një gazetari pa gazetë" / ”Jurnalul unui jurnalist fără jurnal” - fragmente




ION D. SIRBU
(28 qershor 1919 – 17 shtator 1989)

Bir minatori, luftëtar në frontin e lindjes, student i shkëlqyer në Fakultetin e Letërsisë dhe Filozofisë në Kluzh, asistent i Luçian Blagës në Katedrën e Filozofisë, Ion D. Sîrbu është një nga majat e padiskutueshme e gjithaq të panjohura të mendimit rumun dhe evropian. Mënjanohet nga jeta kulturore në vitet ’50 ‘për orientime idealiste’ dhe caktohet mësues në qytetin Baia de Arieş. Më pas punon si mësues gjimnazi. Më 16 shtator 1957 arrestohet nën akuzën se ‘nuk ka denoncuar’ dhe mbyllet 6 vjet në burg. Pas lirimit, i ndalohet botimi dhe internohet në Petrila, ku punon si vagonashtyrës në minierë. Më vonë emërohet në Teatrin e Valea Jiului (i cili sot i mban emrin) dhe punon për nëntë vjet me radhë si sekretar letrar i Teatrit Kombëtar të Krajovës. Është autor i shumë vëllimeve me prozë, me drama (Kthimi i atit plangprishës, Arka e shpresës së mirë, Gjethe që bien, - të cilat janë luajtur në shumë vende të botës), i disa romaneve (Lamtumirë Evropë!, Ujku dhe katedralja), i një vëllimi letrash (Dimri i sëmurë me kancer), si dhe i një ditari të jashtëzakonshëm, nga i cili po japim disa copëza.

Gazeta e një gazetari pa gazetë

Fragmente

“…historia e vërtetë e shekullit tonë nuk do të mund të shkruhet ndonjëherë: llava e dokumenteve dhe kundërdokumenteve do të bëjë të mundur që ky shekull, më tragjiku në histori, të shkëputet nga vargu. (Një perandor kinez duket të ketë thënë: ‘mjafton të shkatërrosh një shekull, që të bjerret tërë vargu i kohës’)”.

“Skulptor gjer edhe për të verbërit” / ”Sculptor până și pentru orbi”


- kjo ishte njëra nga shumë fjalitë befasuese që vigani i skulpturës moderne, - shpesh i quajtur edhe atë i saj, - Constantin Brâncuși (Konstantin Brënkush) e pat lënë të shkruar në një fletore të thjeshtë, mes shumë mendimeve per artin, artistin dhe jetën e vet. Lindur më 1876 në fshatin Hobița të Rumanisë, Brâncuși mësoi në qytetin Târgu-Jiu dhe në Bukuresht, nga ku do të largohej, - më këmbë! - drejt Parisit, në shenjë hakmarrjeje ndaj ngutjes së njërës prej jurive të kohës. Është tashmë proverbiale rrëfenja e tij në lidhje me lavdinë: tek çapitej drejt Parisit, i kredhur në ëndrra për lavdi të përbotshme, gati përplaset me një lopë që pikërisht në atë çast po urinonte. “Ja, pra, edhe lavdia, tha: një shurrë lope!”.

Pas vitesh pune rraskapitëse dhe moskuptimesh që jo rrallë mbrehen pas veprës tejet origjinale të një gjeniu, Brâncuși merr trajtën e një patriarku artesh, princ-fshatar, siç e quajtën, hap disa ekspozita në Francë, Amerikë, Indi, dhe mban lidhje me shumë personalitete të kohës. Deviza e tij ishte: Krijo si Zot / Urdhëro si mbret / Puno si skllav! Për veprën e Brâncuși-t shkruan me përkushtim Ezra Pound, Eugen Ionesco, Mircea Eliade, Ionel Jianu, Carola-Gedion Welch-er, Bulent Eçevit dhe shumë të tjerë.
Disa prej këtyre veprave, si Zonjusha Pogany, Kolona e Pafundme, Tryeza e Heshtjes, Porta e Puthjes, Zogu në Hapësirë, Puthja, Veza, Leda, Mrekullia kanë hyrë në thesarin e simboleve universale dhe shpesh krijojnë përshtypjen se janë skulpturat e para të këtij planeti. Constantin Brâncuși ndërroi jetë në Paris, pa u kthyer më në vendlindje, në vitin 1957. Atelieja e tij në Rrugën ‘Impasse Ronsin’ të Parisit është shndërruar në vend pelegrinazhi. Po japim për lexuesit disa pjesë nga ‘ditari krijues’ i Brâncuși-t, në këtë vit të parë të mijëvjeçarit*, të cilin UNESCO dhe kultura rumune, me mjaft frymëzim, e quajtën Viti Brâncuși:

E bukura është baraspesha absolute.

Kur s’jemi më fëmijë, jemi tashmë të vdekur.

Gjërat nuk është aq vështirë t’i bësh; vështirë është të vihesh në gjendjen për t’i bërë.

Thjeshtësia nuk është një qëllim në art, mirpo ti arrin në thjeshtësi pa vullnetin tënd, duke iu afruar kuptimit real të gjërave. Thjeshtësia është në vetvete një ndërlikim – dhe duhet të ushqehesh me thelbin, që të mund t’i kuptosh vlerën.

Mos harro asnjëherë që je artist. Mos e humb kurajon; dhe mos u tremb nga asgjë; se do t’ia arrish qëllimit.

Në art nuk duhet të ekzistojnë të huaj.

Materialet nuk duhen shtrënguar të flasin në gjuhën tonë… por duhet t’i sjellim gjer në pikën ku të tjerët do të kuptojnë gjuhën e tyre.

Në skulpturën time kam mbyllur zbrazëtitë që krijojnë… hijet.

Vështrojini punimet e mia derisa t’i shihni! Ata që janë pranë Zotit i kanë parë.

Çfarë lidh ti këtu në tokë – lidhet edhe në qiell.

Do të doja të krijoja ashtu siç marr frymë.

Skulpturat e mia janë gjer edhe për të verbërit.

Arti duhet të jetë e çliruar nga sentimentalizmi – si edhe nga narkotiku fetar.

Ekziston një qëllim në të gjitha gjërat – mirpo për të arritur atje duhet të shkëputemi nga uni.

Artisti modern nuk është një kafshë luksi, por një kafshë e vuajtur. Arti i tij kryhet vetëm në vuajtje dhe dramatizëm, si një krim…

Me këtë formë (Veza ose Fillimi i Botës) unë mund të lëviz Universin.

Çfarë e përcakton, vallë, qytetërimin tonë? – Shpejtësia! Njerëzit pushtojnë kohën dhe hapësirën duke shpejtuar parreshtur mjetet me të cilat mund t’i përshkojnë. Shpejtësia nuk është veçse masa e kohës që të nevojitet për të përshkuar një distancë… Dhe nganjëherë është fjala për distancën që na ndan nga vdekja… Vepra e artit duhet të shprehë pikërisht çka nuk i nënshtrohet vdekjes. Por duhet ta bëjë në mënyrë të atillë, që kjo shprehje të jetë një dëshmi për epokën kur ka jetuar artisti.

Përgatiti A.-Ch. Kyçyku
* Nga arkivi i Revistës Haemus (2001)

In Memoriam Jamarbër Marko (1951-2010)

Revista Haemus nr. 2-3 /1999 -

ELVIRA DONES

Një kafe e pirë së largu

Këtë bisedë do t’ia kisha bërë, ndoshta, poetit Marko përpara një filxhani kafeje. Sikur ta kisha takuar kohë më parë, atëhere kur lexova librin e tij “Rastësisht me dashje”.
Një pjesë të kësaj bisede me të e kam filluar madje edhe më qëmotshëm, rreth dymbëdhjetë vjet më parë, kur sapo kisha dalë nga bankat e universitetit dhe ai nga hekurat e burgut. Rastësia e solli të ishim në të njëjtën qendër pune, në të atëhershmen Kinostudio “Shqipëria e Re”. Por unë isha një çupërlinë që qëndronte mbi kalë, bëja pjesë në fitimtarët - në mund të kish të tillë nën thembrën e një diktature - kurse ai rreshtohej padyshim në humbësit. Ishte i dënueshëm, edhe pse dënimin fizikisht ndërkohë e kishte shlyer. Pse e kishin dënuar? pata pyetur shpesh me kurreshtjen e pacipë të një njëzetekatërvjeçare-je, ç’paska bërë kaq të rëndë? Askush nuk më dha përgjigje. Ndërdyshasi, mes dëshirës për ta gjykuar ashpër dhe tmerrit që t’i përmendnin edhe emrin, zgjidhnin një rrugë të tretë, “miqësore”, më këshillonin të mos merresha me të, pse kruhesha kot?, tani ishte veç një punëtor ngarkim-shkarkimi e aq, atë që kish bërë e dinte Partia, e cila, zemërgjerë si ngaherë, po i jepte një dorë të rehabilitohej.
Mos i fol, që të jesh në rregull! Dhe njerëzit nuk i flisnin.

Një “botë e re” në një realitet “të panjohur”



Dr. Vehip Proda

Sapo mbarova së lexuari, me një frymë, romanin “Ëngjëjt e tepërt” (2001, 2009) të shkrimtarit, hulumtuesit dhe intelektualit të shquar Ardian-Christian Kyçyku.
E pohoj që në fillim: e gjeta veten në një dimension tjetër kohor, gjeografik, psikik.
Unë jam lexues, kur është fjala për letërsinë, ndonëse studiues i çështjes kombëtare, sociale dhe politike. Si lexues, të them se kam kaluar pak libra nëpër duar, do gënjeja, por të them se vetëm tani sapo kam lexuar një letërsi të re për nga konstrukti, ndërthurrja, tema, mënyra e të treguarit, ambienti veprues-përshkrues; nga këndvështrimi, gjykimi dhe përqasja; nga gjuha e “fabulës”, nuk do të gënjeja aspak. Kjo më ndodhi bash tani që m’u “faneps” produkti alla Kyçyk!
Një ndjesi e brendshme apokaliptike, një trazim shpirtëror, një marramendje dhe bredhje në një mjedis krejt “të paparë, të panjohur, të pangrënë e të panxënë”.

Vlerësim i lartë për shkencëtarin shqiptar



Më 30 maj 2010, në Katedralen Monumentalis Ecclesia Sancti Silvestri Tiburnensis të qytetit italian Tivoli (30 kilometra larg Romës), në prani të mjaft përfaqësuesve të kulteve të ndryshme fetare, të kulturës e të shtypit, nën drejtimin e Monsinjor Kavalier Luixhi Kazolini, Rektor e President i Shoqatës San Silvestro Papa, u zhvillua ceremonia solemne e dorëzimit të titujve "për veprimtari të shquar shpirtërore, kulturore dhe sociale, gjithnjë në shërbim të mbarë Bashkësisë dhe të Kishës", një numuri personalitetesh vendëse dhe të huaja.

Akademiku shqiptar Kopi Kyçyku ishte njëri ndër tre të nderuarit me titullin më të epërm "Fisniku i Shën Silvestrit"

Jehona e një ekspozite / Ecoul unei expoziţii...


Në dy javët e para të majit 2010, në Bukuresht qëndroi e hapur ekspozita e piktores së mirënjohur Rudina Proda. E lindur në Tiranë më 11 nëntor 1978, Rudina Proda vuan nga sëmundja e autizmit. Qysh kur mbushi një muaj jetë, iu nënshtrua një procesi kurimi intensiv me synim riaftësimin dhe integrimin në veprimtarinë sociale, në shoqëri. Mbaroi shkollën 8-vjeçare “11 Janari-Edith Durham” në kryeqytet, ndërsa më pas, për një vit, vazhdoi si dëgjuese gjimnazin “Petro Nini Luarasi”, po në Tiranë. Është në gjendje të shkruajë, të lexojë dhe të komunikojë me dialogje të shkurtër. Ka filluar të pikturojë në tetor 1989. Deri më 1995 punoi pranë pedagogut të talentuar Bashkim Dervishi dhe vazhdoi më tej të punonte e pavarur, si profesioniste e mirëfilltë, në studion e vet “Art Rudina”, atelje i pajisur me gjithçka të nevojshme për zhvillimin e veprimtarisë krijuese të një artisti të vërtetë. Në fondin e saj, Rudina ka mbi 3000 piktura. Deri tani ka organizuar mbi 125 ekspozita, nga të cilat 56 vetjake: në Shqipëri (30), Kosovë (1), Bullgari (1), Bosnjë-Hercegovinë (1), Danimarkë (1), Estoni (1), Hungari (2), Itali (1), Uells (1), Francë (2), Zvicër (2), Finlandë (2), Poloni (3), Kroaci (6), Slloveni (1), Greqi (1). Ajo ka fituar mbi 30 çmime, diploma, çertifikata, në konkurse kombëtare dhe ndërkombëtare.